Kryeministri i Federatës së Bosnjës dënohet me 4 vite burg, keqpërdori fondet gjatë pandemisë

05 prill 2023 | 12:23

Kryeministri i Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Fadil Novalliç dënohet me katër vjet burg për keqpërdorim të fondeve gjatë periudhës së pandemisë së COVID.

Gjykata në Bosnje e Hercegovinë shpalli dënimin e shkallës së parë kundër Novalliçit më 5 prill, ashtu si edhe kundër të të pandehurve të tjerë në këtë rast, kreut të suspenduar të Mbrojtjes Civile të Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Fahrudin Sollak, dhe pronarit të kompanisë bujqësore “Srebrena Malina”, Fikret Hoxhiç.

Sollak u dënua me gjashtë vjet burgim dhe Hoxhiç me pesë. Kompania “Srebrena Malina” gjithashtu do të duhet të paguajë kompensim në vlerë prej 100 mijë eurosh.

Novalliç nuk u paraqit në seancën e dhënies së dënimit.

Ai është akuzuar se ka hartuar një plan për të përdorur para nga buxheti i vitit 2020 për blerjen e mjeteve dhe pajisjeve për të luftuar korona virusin.

Bashkë me Sollakun dhe Hoxhiçin do të siguronin përfitime materiale që më pas do t’i ndanin mes njëri-tjetrit.

Ministrja e Financave, Jellka Miliceviç është liruar nga akuza se nuk i ka penguar ata që ta bëjnë një gjë të tillë.

Gjyqi për blerjen e 100 ventilatorëve nga Kina, me vlerë 5.4 milionë euro, për nevojat e sistemit shëndetësor në Federatën e Bosnje e Hercegovinës, ka filluar më 23 shkurt, 2021.

Respiratorët janë blerë në prill të vitit 2020, një ditë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, për shkak të pandemisë COVID-19.

Prokuroria e Kantonit të Sarajevës ka nisur hetimet pasi është bërë e ditur se puna është kryer pa tender dhe me marrëveshje të drejtpërdrejtë me kompaninë private “F.H. Srebrena Malina”, e cila merret me tregti të pemëve dhe perimeve.

Prokuroria e Shtetit e ka marrë më pas dokumentet nga Prokuroria Kantonale dhe aktakuza është konfirmuar në fund të vitit 2020.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Astrit Gashi Këto akuza janë të pabaza dhe jashtë sistemit…