Kryeministri i Indisë viziton Ukrainën

23 gusht 2024 | 11:20

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, po qëndron në një vizitë në Kiev më 23 gusht. Gjatë kësaj vizite ai do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe pritet që të shtyjë përpara një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Modi po e paraqet veten si një person që mund ta ndërmjetësojë arritjen e paqes, teksa pushtimi rus i Ukrainës ka nisur dy vjet e gjysmë më parë dhe javëve të fundit, Ukraina është duke kryer një ofensivë në territorin rus.

“Asnjë problem nuk mund të zgjidhet në fushëbetejë”, tha Modi para vizitës, duke shtuar se India mbështet “dialogun dhe diplomacinë për të rivendosur paqen dhe stabilitetin sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ai është kryeministri i parë i Indisë që viziton Ukrainën, që kur të dyja shtetet vendosën marrëdhënie dypalëshe mbi 30 vjet më parë.

Ai tha se planifikon të diskutojë për planet për “thellimin e miqësisë mes Indisë dhe Ukrainës”.

India u përball me kritika nga disa shtete perëndimore, pasi Modi u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë javën e kaluar. Vizita e tij përkoi me një sulm vdekjeprurës me raketa të kryer nga Rusia ndaj një spitali të fëmijëve në Kiev. Ky sulm u dënua nga bashkësia ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara veçanërisht kishin shprehur shqetësime lidhur me vizitën dyditore të Modit në Rusi, pasi Uashingtoni e sheh Nju Delhin si shtyllë të rëndësishme të strategjisë së tij për të parandaluar rritjen e Kinës.

Atëbotë, Zelensky përdori fjalë të ashpra për vizitën e Modit, duke thënë se ishte “zhgënjim i madh dhe goditje shkatërruese për përpjekjet e paqes kur shihni liderin e demokracisë më të madhe në botë duke u përqafuar me kriminelin më gjakatar të botës në Moskë në një ditë të tillë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, ka mbajtur një konferencë për…