Kryeministri i Izraelit pritet ta vizitojë Bahrejnin
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të martën se së shpejti do të vizitojë Bahrejnin, me ftesë të Princit të Kurorës, Salman al-Khalifa.
Pas Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahrejni ka normalizuar raportet me Izraelin përmes një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.
Vendimi i këtyre vendeve të Lindjes se Mesme ka shënuar një rreshtim strategjik të rajonit kundër Iranit.
Por, palestinezët janë zemëruar pasi kanë kërkuar zgjidhjen e çështjes së shtetësisë së tyre, para çdo normalizimi të raporteve me Izraelin nga ana e vendeve arabe.
Një delegacion i Bahrejnit ka vizituar Izraelin të mërkurën e kaluar.
Të hënën, një zyrtar izraelit dhe mediet lokale kanë thënë se Netanyahu kishte udhëtuar fshehurazi në Arabinë Saudite të dielën për bisedime me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në atë që do të ishte vizita e parë e konfirmuar publikisht nga një udhëheqës izraelit.
Ministri i jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan Al Saud, ka mohuar bisedimet e tilla, ndërsa Netanyahu nuk i ka konfirmuar ose mohuar raportet.
Që nga shtatori, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka ndërmjetësuar marrëveshje të Izraelit me Bahrejnin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Sudanin.
Një delegacion izraelit ka udhëtuar të hënën në Sudan.
Megjithëse zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë që më shumë vende po konsiderojnë normalizimin e lidhjeve me Izraelin, zhvillimet e mëtejshme nuk kanë gjasa të ndodhin para se presidenti i zgjedhur, Joe Biden, të marrë detyrën më 20 Janar dhe të përcaktojë politikën e administratës së tij për Iranin.