Kryeministri i Libisë kritikon ‘heshtjen’ e aleatëve ndërkombëtarë
Kryeministri i Libisë, Fayez al-Serraj, e ka dënuar, siç ka thënë “heshtjen” e aleatëve të tij ndërkombëtarë derisa forcat kundërshtare po përparojnë në Tripoli.
Al-Serraj, i cili mbështetet nga Kombet e Bashkuara, po përballet me një kryengritje të udhëhequr nga gjenerali Khalifa Haftar.
Forcat e Haftarit, të cilat mbështesin një administratë paralele në lindje të Libisë, synojnë të vënë nën kontroll edhe kryeqytetin Tripoli.
Mbi 200 njerëz janë vrarë prejse kanë nisur luftimet më 4 prill, bëri të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Derisa dhuna vazhdon, Al-Serraj ka thënë për “BBC”-në se njerëzit “kanë nisur të ndjehen të braktisur nga bota”.
Ai thënë se dështimi për të mbështetur qeverinë e tij, të njohur ndërkombëtarisht, “mund të çojë në pasoja të tjera”.
Al-Serraj ka thënë se ka rrezik që grupi militant Shteti Islamik të përfitojë nga paqëndrueshmëria.
“Publiku është i irrituar nga heshtja e bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë bërë thirrje për ndaljen e armiqësive.
Libia është shkatërruar nga dhuna dhe paqëndrueshmëria politike që nga koha kur sunduesi veteran, Muammar Gaddafi, është përmbysur nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.