Kryeministri i Maltës thotë se do të jep dorëheqje në janar të vitit 2020
Kryeministri i Maltës, Joseph Muscat, ka njoftuar se do të tërhiqet nga pozita në janar të vitit të ardhshëm, derisa po vazhdon kriza për rastin e një gazetareje të vrarë.
Hetimet e deritashme për vrasjen, kanë çuar tek zyrtarët në qeverinë e tij.
Ai ka thënë se do t’i kërkojë Partisë së Punës, e cila është në pushtet, që të fillojë procesin për të zgjedhur pasardhësin e tij, më 12 Janar.
Demonstruesit kanë kërkuar dorëheqjen e tij të menjëhershme në lidhje me hetimin për vdekjen e gazetares hulumtuese, Daphne Caruana Galizia.
Ajo u vra nga një bombë e vendosur në makinë, në vitin 2017, ndërsa po hulumtonte një rast korrupsioni midis biznesit dhe elitës politike të Maltës.
Një biznesmen me lidhje të dyshuara me zyrtarë qeveritarë u akuzua për bashkëpunim në vrasjen e saj.
I dyshuari, biznesmeni, Yorgen Fenech, ka thënë se është i pafajshëm për atë dhe akuza të tjera.
Ai është akuzuar, pasi prokurorët refuzuan kërkesën e tij për imunitet nga ndjekja penale në këmbim të zbulimit të detajeve të komplotit të vrasjes.
Të dyshuar si të përfshirë në këtë krim janë edhe ish-shefi i shtabit të kryeministrit dhe një ish-ministër i Turizmit.
Që të dy kanë dhënë dorëheqje javën e kaluar duke mohuar akuzat. Tre persona tjerë janë në paraburgim për kryerjen e vrasjes, të cilët ishin arrestuar në dhjetor të vitit 2017.
Alfred dhe George Degiorgio dhe Vincent Muscat janë paguar 150 000 euro, është thënë në akuzën ndaj tyre.
Malta është shteti më i vogël anëtar i Bashkimit Evropian.