Kryeministri i Portugalisë: Ronaldo nuk është fajtor
Kryeministri i Portugalisë, Antonio Costa, e ka mbrojtur yllin portugez të Juventusit, Cristiano Ronaldo, pas akuzave ndaj këtij të fundit se e kishte përdhunuar një grua në një hotel të Las Vegasit para nëntë vjetëve.
Ronaldo është akuzuar për përdhunim nga Kathryn Mayorga, e cila pretendon se sulmuesi i Juventusit e kishte përdhunuar atë në tualetin e një hoteli në Las Vegas në vitin 2009. Megjithatë, Ronaldo i ka mohuar këto akuza. Ronaldo u la jashtë skuadrës së Kombëtares së Portugalisë për ndeshjet e tetorit, megjithatë është bërë me dije se kishte qenë vetë portugezi ai i cili e kishte kërkuar një gjë tillë. Ai dëshiron të stërvitet më shumë për Juventusin dhe i duhet pak më shumë pushim. Kur u pyet nga gazetarët për akuzat ndaj Ronaldos gjatë një vizite në Laxarote, kryeministri i Portugalisë, Antonio Costa, u përgjigj duke thënë se Ronaldo e ka dëshmuar se është një profesionist i jashtëzakonshëm, dhe se derisa të përfundojë hetimi, ai duhet të konsiderohet i pafajshëm.
“Njerëzit duhet ta kuptojnë se një person është i pafajshëm deri në përfundim të hetimit. Nuk mjafton të akuzohesh për diçka, që të jesh fajtor për të”, ka thënë Costa, duke shtuar: “Dhe nëse ne kemi dëshmi për diçka, është se ai është profesionist i jashtëzakonshëm, sportist i jashtëzakonshëm, futbollist i jashtëzakonshëm dhe dikush që i ka dhënë nder dhe prestigj Portugalisë. Dhe, natyrisht, ne të gjithë urojmë që asgjë të mos e dëmtojë këtë rekord të Ronaldos. Kështu që, për ta gjykuar si të vërtetë diçka që është vetëm akuzë, më falni, por nuk mjafton vetëm një padi publike, së cilës iu nevojitën kaq shumë vite për t’u ndërtuar”.
Sponsorët e Ronaldos, “Nike” dhe “EA Sports”, e kanë shprehur shqetësimin e tyre për këto akuza, ndërsa Juventusi e ka mbështetur yllin e skuadrës së tij, duke e quajtur portugezin kampion të mrekullueshëm.