Kryeministri i Shqipërisë: Erdha këtu për t’i dhënë mbështetje Kosovës

30 qershor 2020 | 15:10

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një konference për medie në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, ka thënë se në Kosovë ka qëndruar në funksion të një nevoje kombëtare.

“Dua ta bëj të qartë faktin se jam këtu në funksion të një nevoje kombëtare, për t’i dhënë mbështetje të plotë Kosovës dhe gjithë përfaqësuesve politikë, në kushtet kur ka ndodhur diçka e rëndë dhe thellësisht e padrejtë”, tha Rama.

“Pothuajse për dy dekada në Kosovë, procesi i vënies së drejtësisë për krimet e luftës është konceptuar, mbështetur e zhvilluar si proces i pandashëm nga procesi i shtetndërimit, pajtimit, e integrimit evropian, madje edhe procesit të dialogut dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë Rama.

Më tutje, Rama ka thënë se komunikata e ashtuquajtur nga Gjykata Speciale për presidentin Hashim Thaçi dhe liderin e PDK-së, Kadri Veseli ishte fletërrufe e ngjashme si ajo e revolucionit kinez.

“Për mua ishte një fletërrufe e ngjashme si dy pika uji me komunikatat publike përgjatë revolucionit kinez, një shfaqje që e kemi përjetuar në Shqipërinë e diktaturës është e pashembull dhe e kombinuar me momentin e publikimit të saj që përmban një arsye pavarësisht nëse publikimi i saj është i rastësishëm ose i qëllimshëm në prag të takimit në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë Rama.

Ai ka theksuar se takimi në Shtëpinë e Bardhë përbën një moment të rëndësishëm dhe është një vijim i përpjekjeve më shumë stacione, por edhe një mundësi për ta çuar procesin në një nivel të ri me mbështetjen e drejtpërdrejtë të ShBA-së.

“Dua ta bëj shumë të qartë, që më vjen sinqerisht keq kur shoh në reagime të ndryshme e këtu flas për reagime të nivelit qytetar, se si helmi i jetës së përditshme politike ka penetruar në bazën e politikës kombëtare dhe ndikon që të moskuptohet por të deformohet thelbi i shqetësimit që sot duhet të kemi si komb”.

“Kjo nuk lidhet as me dy persona e nuk lidhet as me karrierën e tyre politike dhe me të mirat apo me të metat e tyre në kohë paqeje nuk lidhet as me simpatitë bindjet mbështetjet apo kundërshtitë politike të natyrës zgjedhore por lidhet me një prej vlerave me të rëndësishme që ka krijuar kombi shqiptar që është vlera për liri të luftës së Kosovës pjesë e së cilës në mënyrë vendimtare është Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, është shprehur Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qëndruar në Kosovë në…