Kryeministri italian: Projekti i BE-së mund të dështojë
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka thënë se Bashkimi Evropian rrezikon të dështojë si një projekt në krizën e koronavirusit. Ai thotë se BE-ja duhet të veprojë në një mënyrë adekuate dhe të koordinuar për t’i ndihmuar vendet që goditen më shumë nga virusi. Conte në një intervistë për BBC thotë se Bashkimi Evropian duhet të ngrihet në sfidën e asaj që ai e quan “provën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Kjo ishte intervista e tij e parë për mediumin britanik që nga përhapja e koronavirusit në Itali. Ai tregoi se si Italia dhe disa vende të tjera të BE-së po përpiqen të bindin më shumë anëtarë të bllokut të pajtohen për “obligimet e koronavirusit” duke u ndarë mjete të gjitha vendeve anëtare për të ndihmuar. Në mënyrë të veçantë Holanda ka kundërshtuar idenë, duke çuar në një përplasje midis ministrave të financave të eurozonës. “Nëse ne nuk shfrytëzojmë mundësinë për të vënë jetë të re në projektin evropian, rreziku i dështimit është real”.