Kryeministri italian sulmon opozitën, mediat ngrihen kundër tij: Gabuam që transmetuam konferencën e tij
Kryeministri italian, Giuseppe Conte është vënë sot në qendër të akuzave nga mediat, pas një konference për shtyp. Me një stil dhe leksik të ngjashëm me atë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, Conte sulmoi opozitën italiane.
Por për gazetarët kjo është e tepërt dhe e patolerueshme që kryeministri të shfrytëzojë një konferencë përpara mediave, për të shënjestruar kundërshtarët politikë.
Enrico Mentana, gazetar profesionist, drejtor i TG La7 si dhe shumë gazetarë të tjerë reaguan kundër toneve agresive ndaj opozitës.
“Nëse do ta kishim ditur që Conte do të përdorte personalisht konferencën për shtyp duke sulmuar opozitën, ne nuk do ta transmetonim atë pjesë”, tha Enrico Mentana.
“Gabim i madh i Contes” e quan atë që prodhoi konferenca e shtypit, Giuseppe De Bellis, drejtori i SkyTg24, duke theksuar se kjo gjuhë rrezikon ndarje.
Situata që po kalon Italia për shkak të koronavirusit, ka sjellë edhe përplasje politike mes mazhorancës dhe opozitës. Ndër kritikët e fortë ka qenë edhe ish-ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini.
Artikulli i plotë i Giuseppe De Bellis, drejtor i “Sky Tg24”
Të gjithë po prisnim konferencën e pestë për shtyp të Kryeministrit Giuseppe Conte: e pritëm atë derisa ai më në fund u shfaq në 19:30. Ne po prisnim një fjalim se kur dhe si do të fillojë faza 2, ajo për rihapjen e vendit pas bllokimit, më pas gjykimin për marrëveshjen e Eurogrupit, pastaj përgjigja e një serie pyetjesh. Morëm këtë dhe pastaj erdhi e papritura dhe e pazakonta: një sulm frontal, pa kundërshtim, ndaj opozitës.
Një sulm jo i lindur nga një pyetje e një gazetari por nga impulsi i vetë kryeministrit.
Conte përfaqëson një qeveri që është shprehja e një mazhorance politike, kështu që mund të luftojë politikisht. Por çfarë kuptimi ka tani? Çfarë kuptimi ka në këtë mënyrë?
Ka thënë shumë herë se dëshiron të bashkojë vendin, por sulmi ndaj opozitës ka efektin e kundërt. Do të thuhet: por opozitat kanë sulmuar qeverinë dhe kryeministrin, kështu që kjo është vetëm replikë. E vërtetë, me një shënim themelor: në demokraci, roli i opozitave është që të ngacmojë qeveritë, e jo anasjelltas. Është një zakon, një etiketë, dhe është gjithashtu arsyeja për të cilën opozitat quhen kështu. Qeveria dhe opozita nuk janë e njëjta gjë, nuk kanë të njëjtat kompetenca dhe nuk kanë të njëjtat përgjegjësi.
Conte e drejton vendin në urgjencën më të rëndë që nga paslufta, siç e përcaktoi edhe ai vetë. Dhe është e vërtetë. Kjo, sidoqoftë, duhet të çojë në një qëndrim më institucional dhe nuk duhet të çojë në quajtjen gënjeshtarë të dy anëtarëve të opozitës, madje edhe më shumë nëse bën një gabim të madh, siç është t’i thuhet njërit prej të dyve (Giorgia Meloni) ishte në qeveri kur u miratua “Mes” nga Parlamenti në 2012. Në vitin 2012 Italia u drejtua nga qeveria Monti, jo nga e djathta.
Dhe kur masa u ratifikua nga Parlamenti, Meloni nuk ishte aty. Lega votoi kundër, siç e ka përsëritur menjëherë Salvini. Atëherë, pse të ekspozonte veten kaq me dhunë, nëse siç e ka thënë vetë Conte: “Italia nuk do të kërkojë përdorimin e ‘Mes’”.
Të sulmosh në këtë mënyrë duke thënë diçka të pasaktë dhe të rëndë është politikisht serioze dhe një faull frustrimi. Një faull i keq. Në një kohë krize serioze, pse të zbresim në polemikën politike që mund të ketë vende dhe hapësira të tjera?
Disa herë kryeministri ka apeluar për kuptimin e institucioneve, duke iu drejtuar atyre që, sipas tij, nuk kanë dijeni sa duhet. Megjithatë, këtë herë, masa, eleganca, kthelltësia që janë treguar javët e fundit, janë humbur nga ana e Pallatit “Chigi”. Në vend të bashkimit të vendit, kjo rrezikon ta ndajë atë thellësisht.