Kryeministri japonez fajëson policinë për vdekjen e ish-udhëheqësit Shinzo Abe
Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, ka fajësuar të enjten mbrojtjen joadekuate të policisë për vdekjen e ish-udhëheqësit Shinzo Abe, i cili ishte qëlluar teksa mbante po mbante një fjalim.
Zyrtarët në Komisionin Kombëtar të Sigurisë Publike dhe Agjencinë Kombëtare të Policisë po hetojnë se çfarë ka shkuar keq dhe do të marrin masa, ka thënë Kishida.
“I bëj thirrje që të rregullojnë atë që duhet rregulluar, duke studiuar edhe shembuj në vende të tjera”, ka thënë ai.
Më tutje, Kishida ka njoftuar planet për të mbajtur një funeral shtetëror për Abe më vonë këtë vit, duke vënë në dukje kontributet e tij në vend dhe në rritjen e aleancës së sigurisë së Japonisë me Shtetet e Bashkuara.
Një ceremoni më e vogël funerali është mbajtur në një tempull në Tokio të martën për Aben, pikëpamjet nacionaliste të të cilit kanë nxitur politikat konservatore të partisë qeverisëse.
Një i dyshuar është arrestuar menjëherë pasi Abe është qëlluar të premten dhe po mbahet për t’u marrë në pyetje. Policia dhe raportet e medieve kanë thënë se ai u ka thënë hetuesve se një lidhje e përfolur midis Abe dhe një grupi fetar që i dyshuari e urrente ishte arsyeja që ai ka vrarë ish-kryeministrin.
I dyshuari, 41-vjeçari Tetsuya Yamagami, ka shërbyer për një kohë të shkurtër në marinën japoneze. Ai ka thënë se ishte i mërzitur sepse nëna e tij bëri donacione të mëdha për Kishën e Unifikimit që falimentoi familjen.
Vrasja e Abe ka hedhur dritë mbi lidhjet midis Partisë Liberale Demokratike në pushtet dhe Kishës së Unifikimit, e cila është e njohur për besimet e saj konservatore dhe antikomuniste dhe dasmat e saj masive.
Dega japoneze e kishës me bazë në Korenë e Jugut, ka konfirmuar të hënën se nëna e Yamagami ishte anëtare dhe se Abe nuk ishte. Abe është shfaqur në mesazhe video për grupet e lidhura me kishën.
Abe, një nga politikanët më me ndikim të Japonisë është vrarë të premten e kaluar në Japoninë perëndimore, duke tronditur një komb.