Kryeministri kanadez zotohet se do të ndalojë përdorimin e pushkëve
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, që aktualisht po bën fushatë për rizgjedhje në pozitën që ka, është zotuar se do të ndalojë përdorimin e pushkëve por jo edhe të armëve tjera, duke thënë vetëm se do t’iu ndihmonte qyteteve për të kufizuar përdorimin e pistoletave.
“Juve nuk ju duhet një armë e kategorisë ushtarake, e tillë që është e dizajnuar për të vrarë shumë njerëz në një kohë shumë të shkurtër, për të vrarë një dre”, ka thënë ai në një konferencë për medie në Toronto.
Gjatë këtij viti në këtë qytet të Kanadasë është raportuar për 311 të shtëna me armë zjarri, duke e rritur numrin e sulmeve të dhunshme tre herë më shumë nga viti 2014.
Në gjithë Kanadanë, 2,500 persona kanë qenë viktima të shtënave me armë zjarri më 2017 në krahasim me vitin 2013, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.
Për shumicën e sulmeve është thënë se fajtorë kanë qenë persona që kanë pasur armë pa leje.
Propozimi i Trudeaus parasheh ndalim të pushkëve gjysmë-automatike.
Dhuna e lidhur me armët e zjarrit në Kanada është në shkallë më të ulët në krahasim me Shtetet e Bashkuara, mirëpo ky problem është kthyer në temë kyçe para zgjedhjeve nga kryetarët e Torontos dhe Montrealit, të cilët janë duke kërkuar masa më të rrepta për krimet e kryera me armë zjarri.
Kanadezët do të votojnë në zgjedhjet federale më 21 tetor derisa fushata në ditët e fundit është dominuar nga keqardhja që ka shprehur Trudeau pas publikimit të disa fotografive ku ai shihet se ka lyer fytyrën me ngjyrë të zezë disa dekada më parë.