Kryeministri kërkon takim me ministren e brendshme të Holandës për vizat
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ambasadoren e Holandës, Gerrie Willems, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, me fokus hapjen e dialogut bilateral ndërmjet dy shteteve për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e BE-së për heqjen e regjimit të vizave dhe pret nga shteti mik holandez, që të rreshtohet me vendet anëtare të BE-së, që tashmë janë përcaktuar për t’i dhënë shtetit tonë të drejtën për lëvizje të lirë. Prita sot në takim ambasadoren e Holandës, Gerrie Willems, me të cilën diskutuam për zhvillimet aktuale politike në vend, me fokus hapjen e dialogut bilateral ndërmjet dy shteteve për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Në vazhdën e takimeve me ministrat e brendshëm të shteteve anëtare të BE-së, përmes ambasadores Willems përcolla kërkesën time për takim zyrtar me ministren holandeze, Kajsa Ollongren”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/