Kryeministri Kurti: Bislimi s’mund të negociojë për Dinarin, BQK është institucion i pavarur
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, nuk mund të negociojë në Bruksel për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e vendit.
Në vlerësimin e Kurtit, Bislimi nuk mund të negociojë për rregulloren e BQK-së, meqë kjo e fundit është institucion i pavarur, e Kosova nuk është vend autokratik sikur Serbia.
“Pushtetet janë të ndara në Kosovë, ne nuk jemi shtet autokratik si Serbia ku një njeri vendos për të gjitha. Pra, ka një vendim, një rregullore të BQK-së dhe ne jemi këtu si qeveri për t’i ndihmuar. Për këtë arsye zëvendësi im, Besnik Bislimi, nuk mund të negociojë për atë rregullore”, tha ai në një prononcim për media në Komunën e Mitrovicës së Veriut
Kurti ndërsa ka ripërsëritur se Qeveria e Kosovës nuk është bartës i vendimeve të BQK-së ka potencuar se Kosova me rregulloren e re është në fazën “post-festum”.
Ndryshe të enjten në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian do të mbahet takimi i tretë i radhës mes kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia pikërisht për të diskutuar për rregulloren e re të BQK-së.
Dy takimet e fundit përfunduan pa ndonjë rezultate konkretë në këtë drejtim.
Pas takimit të fundit e mbajtur më 25 mars në Bruksel, Bislimi theksoi se dallimet me Serbinë në këtë çështje janë të mëdha andaj kërkohet një takim shtesë.
Ndërkaq Petkoviç, kritikoi Prishtinën se nuk po bën përpjekje për të arritur një zgjidhje kompromisi dhe kërkoi që që serbët t’i marrin paratë nga Banka Postare e Serbisë.
Ndryshe në takimin e parë që kryenegociatorët e të dy vendeve zhvilluan nën kujdesin e Lajçakut në Bruksel palët u dakorduan që deri më 22 mars t’i çonin propozimet për zgjidhjen e krizës së dinarit.