Kryeministri Kurti: Do ta nderojmë edhe lartësojmë kujtimin për fëmijët e vrarë gjatë luftës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ndezjen e qirinjve në përkujtim dhe nderim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës 1998-1999, në Kosovë, organizim ky në kuadër të agjendës shtetërore të 15-vjetorit të Pavarësisë, e që u mbajt para Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Kurti gjatë fjalës së tij, ka thënë se do ta nderojnë edhe lartësojnë kujtimin për fëmijët e vrarë gjatë luftës, duke punuar pa u ndalur për ta avancuar lirinë dhe demokracinë, arsimin edhe shëndetësinë, mirëqenien edhe barazinë, drejtësinë por edhe mbrojtjen dhe sigurinë, ashtu që askush asnjëherë në të ardhmen të mos guxojë më t’i prekë fëmijët tanë.
“Andaj, ne ata i kujtojmë dhe ne ata kurrë nuk do t’i harrojmë. Sakrifica e popullit tonë është e madhe, plagët e luftës janë të thella. Është e pafund dhimbja. Mirëpo, gëzimi e lumturia juaj nuk ka pikëllim që nuk e mund. Kur ne ju shohim juve zemra në bëhet mal, e mbushemi përplot gëzim e lumturi, sot e për të ardhmen”, ka Kurti.
“Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë” do të jetësohet. Grupi punues kryesohet nga Saranda Bogujevci, e cila është nënkryetare e Kuvendit dhe e cila e ka mbijetuar masakrën e 28 marsit 1999, kur 7 fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç të familjes Bogujevci, Duriqi edhe Llugaliu, u patën pushkatuar në Podujevë nga njësiti policor serb “Shkorpionët”.