Kryeministri Kurti: Do ta ndërtojmë stadiumin nacional
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës ka thënë se në vazhdën e ndërtimit të infrastrukturës sportive për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, është paraparë edhe ndërtimi i stadiumit nacional. Sipas shefit të ekzekutivit organizimi i Lojërave Mesdhetare është ngjarjen më e madhe ndërkombëtare në historinë e vendit tonë.
“Me mobilizimin e të gjithë kabinetit qeveritar dhe në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës, i kemi sjellë Republikës së Kosovës mundësinë për organizimin e ngjarjes më të madhe ndërkombëtare në historinë e vendit tonë. Koncepti me të cilin e kemi shënuar këtë fitore është shumë i veçantë dhe në linjë me vizionin e qeverisë sonë për zhvillimin e sportit në vend. Në partneritet me Shqipërinë, po shënojmë edhe herën e parë që kjo ngjarje të organizohet në një shtet që nuk ka dalje në det”, ka thënë Kurti.
Kurti ka bërë me dije se në programin për ndërtimin e infrastrukturës, janë të parapara të ndërtohen e rinovohen 24 objekte sportive, si stadiumi nacional, pishina olimpik, poligoni i shenjtërisë e të tjera.
“Përmirësimi dhe ngritja e infrastrukturës sportive fizike është në qendër të aplikimit dhe fitores së Republikës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Numri total i objekteve sportive të cilat përfshihen në konceptin fillestar të këtij projekti është 24. Katër objekte sportive do të rinovohen, duke përfshirë edhe Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, katër ndërtime të reja që përfshijnë stadiumin nacional, kompleksin e pishinave olimpike, kompleksin e tenisit dhe poligonin e shenjtërisë. Pesë investime infrastrukturore të përkohshme dhe pesë projekte të tjera të cilat janë në ndërtim apo përfundim e sipër, në mesin e të cilave edhe stadiumi ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë dhe stadiumi i qytetit të Gjilanit”, ka deklaruar Kurti.
Të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare Kosova e fitoi më 8 shtator në mbledhjen e zakonshme të Asamblesë së Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.