Kryeministri Kurti eskalon me sulme ndaj prokurorit Blerim Isufaj
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, nga Kuvendi i Kosovës e ka sulmuar prokurorin Blerim Isufaj, pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi, i cili ishte anëtarë i Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurti njëjtë sikurse edhe deputetët dhe anëtarët e partisë së tij, ka hedhur sulme ndaj Prokurorisë.
Nga salla e Kuvendit Kurti ka thënë se Prokuroria nuk është marrë me rastet e kaluara në KEK duke mbrojtur kështu kryeshefin e arrestuar të KEK-ut.
“Është e vërtet që dje u arrestua kryeshefi i KEK-ut. Tash ai është në ndalej dhe është sistemi i drejtësisë ai i cili merret me çështje e tij, kjo çështje ka fakte dhe ne urojmë dhe shpresojmë që të merren me profesionalizëm dhe përpikëri. Në anën tjetër është fakt që pati gëzim opozitar për arrestimin e Krasniqit. Ne e dim që në të kaluarën ka pasur keqpërdorime marramendëse por që nuk janë trajtua nga prokuroria. Natyrshmit që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponua me dhjetra fakt dëshmi materiale për keqpërdorime që ka gjetur aty, mirëpo zelli i Prokurorisë për tu marrë me keqpërdorimet e më hershme ka qenë zero, mirëpo zelli i Prokurorisë për tu marrë me kryeshiefin që i solli fitime KEK-ut ka qenë maksimal”, ka thënë Kurti.
Kurti pretendon se ky rast ka ndodhur për shkak të mosemërimit të Blerim Isufajt kryeprokuror të Shtetit.
“Dhe kjo lidhet me figurën e prokurorit Blerim Isufaj, i cili rastin e vrasjes së Dino Hasanaj e kategorizoj si vetëvrasje. Bëhet fjalë për një prokuror që asnjë rast nuk e ka të fituar në Gjykatë dhe pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror”, ka thënë Kurti.