Kryeministri Kurti falënderon kryeparlamentaren Osmani, kjo është arsyeja

15 mars 2020 | 16:40

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lavdëruar kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani për organizimin dhe për mbarëvajtjen e seancës se jashtëzakonshme për buxhetin e vitit 2020

“Organizimi dhe mbarëvajtja e mbledhjes së djeshme të jashtëzakonshme nga Kryetarja e Kuvendit, znj. Vjosa Osmani, ishte i jashtëzakonshëm”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Kurti ka falënderuar edhe dy deputetët e LDK-së të cilët përkundër gjendjes se tyre shëndetësore kanë qëndruar në seancën për buxhetin.

Postimi i plotë i Kurtit:

Dy falënderime

Qëndrimi i deputetëve për mbi dhjetë orë në Kuvend për ta miratuar ligjin për buxhetin 2020 dëshmoi përgjegjësi të lartë përballë situatës së pandemisë që ka prekur tashmë sidomos kontinentin tonë. I falënderoj deputetët e LDK-së, ata të pakicave dhe të Vetëvendosje!-s, për përkushtimin dhe mbështetjen. Në veçanti, i falënderoj deputetët me probleme shëndetësore, prej z. Fetah Rudit në karrocë invalidore e deri te z. Hatim Baxhaku i operuar në zemër para vetëm një muaji e gjysmë.

Organizimi dhe mbarëvajtja e mbledhjes së djeshme të jashtëzakonshme nga Kryetarja e Kuvendit, znj. Vjosa Osmani, ishte i jashtëzakonshëm. Nga kontrolli mjekësor në hyrje të sallës gjer te ndjekja e përpiktë e hollësive procedurale. Ishte kjo një ditë e gjatë me sukses të plotë. Miratimi i buxhetit vjetor është ndër hapat më të rëndësishëm për të përballuar sfidat aktuale, e për të zbatuar programin e qeverisë së ndryshimit. Të faleminderit kryeparlamentare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, e ka komentuar votimin…