Kryeministri Kurti falënderon personelin e QKUK-së: Shpëtuan 15 qytetarë
Kryeministri Albin Kurti ka vizituar të lënduarit e shpërthimit në Kçiq, të shtrirë në QKUK, prej nga u ka uruar shërim të shpejtë pacientëve dhe ka falënderuar stafin mjekësor për përkushtimin e treguar.
“E falënderojmë personelin kujdestar për ndërhyrjen e shpejtë dhe angazhimin profesional, ndërkaq të plagosurve ju dëshirojmë shërim të shpejtë e të plotë. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, ishin po ashtu sonte në Klinikën e Emergjencës dhe atë të Kirurgjisë Plastike ku po vazhdojnë përpjekjet e mëdha për të mënjanuar rrezikun për jetë në një nga rastet”, ka shkruar Kurti.
Ai ka potencuar faktin që mjekët dhe infermierët e QKUK-së kanë shpëtuar 15 pacientët për më shumë se një orë.
“Për diç më shumë se një orë, mjekët dhe infermierët kujdestarë në QKUK, i shpëtuan 15 qytetarë të aksidentuar nga shpërthimi i një bombole gazi në Kçiq të Mitrovicës”, ka thënë ai.
Kurti gjithashtu ka bërë thirrje për përdorim më të kujdesshëm të bombolës së gazit.
“Nuk është aksidenti i parë i këtillë, qytetarët dhe familjet duhet të kenë shumë vëmendje te blerja dhe përdorimi i sigurt i gazit, gjithnjë sipas rregullave strikte, për shtëpitë dhe lokalet e tyre. Ndërkaq inspektoriatet dhe organet tjera përkatëse të mbikëqyrin rreptë respektimin e standardeve të duhura të bombolave të gazit në treg”, ka shkruar ai tutje.
Katër pacientët e përfshirë në shpërthimin në fshatin Kçiq janë në mjekim intensiv, ndërkaq të tjerët janë transferuar në klinika të ndryshme në QKUK.