Kryeministri Kurti hidhëron pensionistët, nuk ua njeh 3 vjetët e inflacionit
Hapi i kryeministrit Albin Kurti drejt rritjes së pensioneve, rrëzoi për toke shpresën e pensionistëve kosovarë. Kërkesa e tyre për marrjen retroaktive të diferencës së pensioneve bazuar mbi inflacionin që përfshiu vendin tri vitet e fundit, u refuzua.
Këtë rrugëtim e nisën pesë pensionistë në krye me avokatin Zahir Hamza dhe e dërguan atë në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, raporton Kiks Kosova.
Me 3 shtator të 2024-ës, kjo ministri thjesht refuzoi kërkesën pa thënë dy fjalë.
Pas 10 ditësh, më 13 shtator, avokati Zahir Hamza së bashku me pensionistët paditën këtë Ministri në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
Përgjigje pozitive, pensionistët nuk morën as nga kjo gjykatë.
Kompensimi i pensionistëve mbi bazën e përqindjes së inflacionit, është e drejtë e cila i takon secilit pensionistë sipas ligjit Nr. 04/L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti, nenit 14 që rregullon harmonizimin e pensioneve me koston e jetesës.
Madje bazuar në ankesat e shqetësimet që pensionistët ia thanë mbrojtjes së tyre, Hamza ka thënë që gjendja në të cilën ndodhën ata nuk është fare e mirë.
Me mosnjohjen e së drejtës së tyre, ai thotë që ata detyrohen të enden nëpër gjykata, e disa madje dorëzohen në gjysmë të rrugës.
Avokati fajëson edhe gjykatat për injorim të palëve në këtë rast, duke çuar në një proces të zgjatur, i cili pas tri vjetëve vlerësohet si e vjetërsuar duke bërë që të mbyllet pa asnjë verdikt.