Kryeministri Kurti i përgjigjet Borrellit: Dezinformimi, i rrezikshëm dhe i papranueshëm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për “alarmimin” për arrestimet në veri dhe marshimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut të premten. Në një reagim në Twitter, Kurti ka thënë se “dezinformomi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm”.
Më herët të premten, Borrelli u shpreh “shumë i alarmuar” për “arrestimet e jashtëligjshme të serbëve të Kosovës” dhe “marshimin e FSK-së në Mitrovicën e Jugut”. Ai deklaroi se “nuk do të tolerojnë” përshkallëzim të mëtejmë të situatës.
Në përgjigje, Kurti ka thënë se përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme veç “u fryjnë tensioneve dhe u ndihmojnë atyre që kërkojnë përshkallëzim”.
“Një thirrje për të gjithë: Ju lutem konfirmojini burimet dhe prisni për informata zyrtare nga institucionet e Kosovës para se të vendosni të angazhoheni publikisht në transmetimin e lajmeve apo parashikimin e ngjarjeve”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Ai ka thënë se serbi i arrestuar në veri gjatë ditës është kapur “bazuar në dëshmitë e bollshme dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës”.
Kurti ka thënë se si kryeministër nuk ka gisht në hetime e arrestime.
Po ashtu ai ka sqaruar se KFOR-i ka qenë në dijeni të plotë për marshimin e FSK-së në Mitrovicën e Jugut. Ka thënë se ky marshim ka qenë aktivitet i planifikuar vjetor.
“Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm”, ka përfunduar Kurti.