Kryeministri Kurti kërkoi rikthimin e zonës së sigurisë përreth kufirit me Serbinë, KFOR-i e refuzon
48 baza operative ushtarake dhe të xhandarmërisë serbe rreth kufirit me Kosovën, ishin vendosur menjëherë pas luftës, dhe vazhdojnë të jenë operative.
Këtë shqetësim ka vite që e ngrit kryeministri, Albin Kurti.
Saktësisht në kohën kur këto baza janë vendosur, ishte hequr zona 5 kilometërshe e sigurisë rreth kufirit me Kosovën.
23 vjet pas, kryeministri Albin Kurti nga NATO po kërkon rikthimin e zonës së sigurisë tokësore dhe ajrore. Kurti thotë se brenda dy viteve Serbia e ka sjellë katër herë ushtrinë e saj rreth kufirin tonë.
Kërkesës së Kryeministrit i është përgjigjur misioni i KFOR-it, duke e refuzuar tërthorazi këtë ide.
Misioni i KFOR-it ka thënë se zona e sigurisë tokësore dhe ajrore është relaksuar plotësisht në vitin 2015.
Duke e theksuar se veprojnë në përputhje me rezolutën 1244, misioni i KFOR-it konstaton se forma se si funksionojnë tash është e duhura dhe nuk ka vend për ndryshime.
“Zona e sigurisë tokësore dhe ajrore, e krijuar përmes Rezolutës 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjes Teknike Ushtarake të vitit 1999, u relaksua plotësisht në vitin 2015.
KFOR-i ka një prani të dukshme dhe fleksibël dhe monitoron nga afër situatën.
Ne vazhdojmë të përmbushim mandatit tonë nga Kombet e Bashkuara – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999 – duke kontribuuar në një mjedis të sigurt, për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i vepron si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët janë përkatësisht reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë. Gjithashtu, komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovës dhe shefin e Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të Serbisë. Ky është çelësi për të garantuar siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal”, thuhet në përgjigjen e Dukagjinit nga KFOR.
Në marrëveshjen e Kumanovës së 9 qershorit 99, Marrëveshja teknike ushtarake ndërmjet “KFOR-it dhe Qeverisë së Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë, në pikën 3 ishte përcaktuar Zona e Sigurisë Tokësore që përfshinte edhe zonën ajrore, 5 kilometër hapësirë rreth kufirit të Kosovës me Serbinë.