
Kryeministri Kurti me postim pasi VV e humbi argumentin për seancën konstituive, qeverinë e tij e quan “kabinet në krye të detyrës”
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka postuar në Facebook, disa vendime të Qeverisë, në kohë kur PDK-LDK-AAK po i kërkojnë të zbatojë ligjin e të jap dorëheqje sepse s’mund të jetë edhe kryeministër edhe deputet.
Përndryshe, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ia ka kthyer letrën kryesuesit të seancës Avni Dehari, që senca duhet të vazhdojë para 48 orëve – që nënkupton nesër.
Rrjedhimisht, Lëvizja Vetëvendosje humbi argumentin juridik për seancën konstituive.
Kurti Qeverinë e tij e ka quajtur si “kabinet në krye të detyrës”.
Kurti në këtë postim ka treguar për vendimet që kanë marrë, që lidhen edhe me emërime si atë në Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Rajonale Ujësjellësit “Hidrogjioni Jugos Sh. A”, Prizren.
Po ashtu, u aprovua edhe kërkesa përhuamarrje në vlerë prej 10 milionë euro për Telekomin e Kosovës.
Njoftimi i plotë:
Si qeveri në detyrë dhe kabinet qeveritar në krye të detyrës, sot mbajtëm mbledhjen e 258-të ku morëm gjithsej 14 vendime. Ndër to:
-Emëruam Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Kompania Rajonale Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor Sh. A” Prizren;
-Aprovuam në parim kërkesën për huamarrje në vlerë prej 10 milionë euro për Telekomin e Kosovës;
-Themeluam grupet koordinuese dhe intervenuese për Ariun e murrmë, Rrëqebullin Ballkanik si dhe Ujkun;
-Rialokuam 147 mijë euro për dy projekte kapitale: “Parku i Aventurave” në Kamenicë; dhe “Ndërtimi i rrugës Dragancë e re dhe Dragancë e vjetër”, në Novobërdë;
-Bartëm të drejtën e shfrytëzimit të ngastrës te Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, me qëllim të ndërtimit të Monumentit të Dëshmorëve të rënë më 17 korrik 1998, te vendi “Rrasa e Zogut”, në Bjeshkët e Junikut.;
-Miratuam Planin e Veprimit 2025-2026 për zbatimin e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Republikën e Kosovës, 2022-2026.
Gjithashtu miratuam tre vendime përfundimtare për shpronësim për interesin publik për tri projekte:
– Varrezat e fshatit dhe fusha sportive në Dobërçan të Gjilanit;
– Çerdhja e fëmijëve, hapësira gjelbëruese dhe infrastruktura rrugore në Gjilan; dhe,
– Zgjerimi i rrugës nacionale N2 segmenti “Hyrja në Qytetin e Ferizajt”.