Kryeministri Kurti merr pjesë në festimin e 209- vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Norvegjisë
Me ftesë të Ambasadës Norvegjeze në Kosovë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në festimin e 209- vjetorit të miratimit dhe nënshkrimit të Kushtetutës së Norvegjisë.
Në fjalën e tij për nder të kësaj dite, kryeministri tha se kjo Kushtetutë konsiderohet gjerësisht si një nga kushtetutat më liberale dhe demokratike në botë dhe e cila mbush shoqërinë dhe institucionet norvegjeze me bindjet themelore të demokracisë, të lirisë së bazuar në barazi dhe të drejtat e njeriut.
Derisa vuri në dukje praninë e mbi pesëmbëdhjetë mijë qytetarëve kosovarë në Norvegji të cilët u larguan nga Kosova për të krijuar një të ardhme më të mirë duke e arritur këtë, për kryeministrin Kurti ky komunitet i rëndësishëm i diasporës, ka bërë jetesën, ka krijuar familje dhe komunitete, ata marrin pjesë në zgjedhje, organizojnë turne futbolli dhe festivale, shkruajnë rekomandime për politika dhe shkëlqejnë në të gjitha profesionet.
‘’Sot, fëmijët e tyre po i bashkohen gjithashtu paradës së fëmijëve në Oslo dhe festimeve në të gjithë Norvegjinë. Ata janë bërë pjesë integrale e shoqërisë norvegjeze dhe kanë mbetur pjesë integrale edhe për Kosovën. Ata janë një urë lidhëse e paçmuar mes dy vendeve tona. Ata i bëjnë demokracitë tona më të forta dhe kontribuojnë në rritjen e shkëmbimeve kulturore dhe ekonomike’’ u shpreh ai.
Kryeministri veçoi se Norvegjia luajti një rol kyç njëzet e katër vjet më parë kur Kosova u kërcënua nga gjenocidi, dhe ka vazhduar të jetë një partnere e qëndrueshme dhe e besueshme teksa ne ndërtojmë një shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Fjalën e tij kryeministri e përfundoi duke cituar dramaturgun e mirënjohur Henrik Ibsen, se “Shtylla e së vërtetës dhe shtylla e lirisë, janë shtyllat e shoqërisë”, duke thënë se ne gjejmë një të përbashkët në partneritetin tonë.