Kryeministri Kurti: Ndryshimi i simboleve kombëtare në Kosovë ka shkaktuar traumë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se shoqëria në Kosovë të cilët janë të mësuar me flamurin kombëtar shqiptar, kanë pësuar tronditje për shkak të zëvendësimit të simboleve kombëtare.
“Ajo që ndjej sidomos në Kosovë, e cila kaloi shekullin e kaluar me flamurin kombëtar, është se ka një ndrydhje të ndjenjave e dëshirave kur flitet për Shqipërinë, e shkaktuar nga trauma e ndërrimit të befasishëm të simboleve që ka shkaktuar tronditje kolektive. Befas, e gjithë shoqëria në Kosovë, përjetoi një zëvendësim që nuk u lejua të debatohej. Nuk është politikisht korrekte të diskutohet për të, një kërkesë për të ndrydhur një dëshirë e mendim”, u shpreh ai.
Tutje Kurti ka thënë se mbledhja e sotme e përbashkët mes dy qeverive ka si synim integrimin mes shteteve tona, në rrafshin politik dhe patriot si forcimi i shteteve përmes luftës së korrupsionit dhe krimit.
“Si patriotë, duhet të forcojmë dy shtetet tona, të luftojmë krimin, korrupsionin e median, lirinë e mendimit dhe vetëm ky lloj patriotizmi do të forcojë shtetet tona. Bashkëpunimi nuk është zgjedhje, por detyrë si mbrojtjen ndaj njëri-tjetrit kudo e kurdo. Sa më të përqendruar jemi në të vërtetën tonë, aq më të fuqishëm do të bëhemi. Duhet të gjejmë thirrjen tonë të përbashkët. Sa më të integruar do të jemi, do të përmirësojmë jetën e qytetarëve tanë”.
Ndryshe sot në Elbasan u mbajt mbledhja e përbashkët, e shtata me radhë e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë.