Kryeministri Kurti në Krushë të Madhe: Nuk mund të harrojmë asnjë dhe asgjë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi dhe qytetarë të shumtë morën pjesë në shënimin e 23-vjetorit të Masakrës në Krushë të Madhe ku forcat serbe vranë mbi 240 persona, përfshirë edhe gra e fëmijë.
Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij tha se janë duke u angazhuar në vijimësi për të sjellë drejtësi për të gjithë viktimat e luftës në Kosovë.
“Ne nuk përcaktojmë datë të fundit për dhënien e drejtësisë, por jemi të bindur që për këtë duhet të punojmë shumë dhe shpejtë. Ne duhet të ecim shpejt në vlerësimin e sakrificës sonë, dhe të angazhohemi shumë për drejtësi për ne”, tha Kurti.
Kurti tha se drejtësia e Kosovës nuk ka nevojë as të jetë abstrakte as e importuar, por se kërkimi i drejtësisë për këta 241 veta pikë së pari duhet të nisë nga vetë angazhimi ynë.
Askush s’ka pse të vijë e të na mësojë krimet e luftës dhe të gjenocidit, viktimat foshnje, viktimat gra, dëshmorët dhe të burgosurit, inteligjencën e përdhosur, përkundrazi ne duhet t’u mësojmë atyre që përpiqen të harrojnë fatin e atyre mijëra njerëzve në Kosovë. Për dhimbjen tonë, por edhe për të mirën e vetë atyre”.
Kurti tha se dhimbja në Krushë të Madhe nuk është zhdukur dhe se është realiteti i përditshëm i vendit.
“Historitë në Krushë janë të jashtëzakonshme e do të tregohen në breza. Jeta do të jetojë dhe e drejta do të fitojë, është mësimi që na japin gratë e Krushës. Kjo është historia jonë që na obligon shumë të gjithë neve për kujdes e solidaritet e sidomos për kujtesë të fortë. S’mund të harrojmë asnjë dhe asgjë”.
Për mosndëshkimin e askujt për krimet e Serbisë në Krushë, Kurti tha se e “këtë e kemi kuptuar pas dy dekadave të humbjes së kohës”.
Kryetar i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, po ashtu kujtoi gjithë të vrarët duke thënë që serbët kanë shkelur në mënyrë sistematike të drejtat e njeriut, ndërsa shtoi që dhimbjet do të pakësohen kur të zbardhet fati i të pagjeturve