Kryeministri Kurti: Në Paris presim tri e më shumë medalje
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Olimpiadën e parë në Rio, Majlinda solli medaljen e parë ndërkaq në të dytën në Tokio, Distria dhe Nora bënë histori.
Ai ka thënë se Majlinda Kelmendi me sukseset e përkushtimin e saj, e trasoi rrugën për të tjerat, që e përcollën në Tokio.
“Kjo është dëshmi se më përkushtim është gjithçka e mundur. Kampione në tatami, kampione në jetë, kampione në gjithçka. Në Olimpiadën e parë në Rio, Majlinda solli medaljen e parë kurse në Olimpiadën e dytë për Kosovën në Tokio, Distria e Nora bënë histori duke sjellë dy medalje të arta. Medaljet e arta, krahas talentit kërkojnë disiplinë e motivim, taktikë e teknikë të përsosur. Tashmë, të gjithë e dimë emrin e trajnerit të medaljeve olimpike. Ai është trajneri i artë, Driton Kuka që me këmbënguljen e tij, na bëri të gjithëve t’i kthejmë sytë kah xhudo. Tri medalje të arta nga tri gra, për të dëshmua barazinë gjinore. Faleminderit vajzave, dhe të gjithëve që punuan për suksesin. Në Rio fituam një medalje, në Tokio dy dhe tani të fillojmë përgatitjet për tri e më shumë medalje në Paris”, ka thënë Kurti.