Kryeministri Kurti: Njësia Speciale do t’i ketë shtesat e rrezikshmërisë 150 euro në muaj, dhe nuk është pak!
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se do të takohet këtë javë me Njësitë Speciale të Policisë për të diskutuar rreth pakënaqësive të fundit që ata kanë patur.
Kurti tha se kjo Njësi do t’i ketë shtesat e rrezikshmërisë 150 euro në muaj dhe kjo sipas tij nuk është pak.
“Unë kam dhënë një qëndrim shumë të qartë, i cili është racional, sa i përket shtesave të rrezikshmërisë. Shtatë kategori me shtesa prej 45 euro deri në 150 euro në muaj. Njësia Speciale intervenues do t’i ketë 150 në muaj dhe mendoj se kjo nuk është pak.
Do t’i takoj posa të kthehem do të thotë këtë javë që vjen. Deri vonë kemi patur pagën minimale për personat nën 35 vjeç 130 euro për ata mbi 35 vjeç e kemi patur 170 euro, kjo është shtesë e rrezikshmërisë. Ne rrezikshmërinë ne do ta zvogëlojmë jo thjesht me shtesa por me pajisje gjithnjë më moderne për pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të cilëve ua jemi shumë mirnjohës për kontributin që japin.
Zgjidhja duhet te jetë shumë racionale në Kosovë dhe besoni nëse e krahason me bruto-produktin vendor për kokë banori është mbi vendet e Evropës Perëndimore” tha Kurti në një intervistë në ATV.