Kryeministri Kurti organizoi pritje me rastin e 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, organizoi sot, në ndërtesën e Qeverisë, një pritje për nder të 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, e më këtë rast për të shprehur mirënjohje e falënderim ndaj çdo vendi anëtar të NATO-s për rolin dhe kontributin e tyre për çlirimin e vendit tonë.
‘’Vuajtja njerëzore e Kosovës është e vërteta historike e Serbisë. 24 marsi është një ditë e madhe, çdo vit, andaj, të gjithëve dhe për të gjithë: Gëzuar dhe kënaquni’’, u shpreh kryeministri.
Në këtë pritje, të pranishëm ishin dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani- Sadriu, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, komandanti i FSK’së, Bashkim Jashari, ministra, zëvendësministra, deputetë, diplomatë të huaj, ish- presidentja Atifete Jahjaga si dhe përfaqësues e zyrtarë të tjerë të institucioneve.
Fjala e plotë e kryeministrit:
E nderuara Presidente e Republikës znj. Vjosa Osmani Sadriu
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës z.Glauk Konjufca, ministra e zëvendësministra të Qeverisë,
Deputetë të Parlamentit,
Të nderuar Ambasadorë, Zëvendës Ambasadorë, Chargé d’affaires të ngarkuar me Punë, Shefa të Misioneve e diplomatë të tjerë,
Të dashur kolegë e kolege,
Zonja dhe zotërinj,
Mirë se vini në këtë pritje me rastin e 24-vjetorit të 24 marsit 1999 – ditës kur të 19 shtetet anëtare demokratike të NATO-s vendosën të ndërhyjnë ushtarakisht kundër forcave të armatosura të Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit, të cilat kishin filluar ta ekzekutonin projektin e tyre gjenocidal të shfarosjes së popullsisë shqiptare në Kosovë, të quajtur “Patkoi”.
Aleatët në qiell, aeroplanët miqësorë lart, ikja e trupave armike, kështu dukej shpresa e popullit atëherë, për përfundimin e luftës dhe ardhjen e lirisë dhe paqes.
Në këtë ditë falënderojmë çdo vendanëtar të NATO-s për rolin dhe kontributin e tyre për çlirimin e vendit tonë.
24 vjet më parë në këtë ditë unë vetë u mbusha 24 vjeç, që është gjysma e jetës sime sot. E sa herë që në burg më pyesnin për datën e lindjes, përgjigja ime nuk ishte menjëherë e besueshme dhe supozohej se ishte një provokim. Prandaj, unë festoj në një mënyrë të dyfishtë që atëherë.
Ndryshe nga Iniciativa Rajonale e Ballkanit të Hapur, stafi im më pat propozuar Iniciativën e Ballkonit të Hapur me miqtë, të cilën e përqafova me gjithë zemër. Ndaj ju mirëpresim sërish, në nismën më të re: Ballkoni i hapur.
Sigurisht jo vetëm për këtë iniciativë dhe për këtë mot të këndshëm që po na shoqëron sot, dua të falënderoj stafin tim, për punën e përditshme të palodhur që bëjnë dhe për dy vitet e performancës së mirë që dhanë.
Të dashur miq ndërkombëtarë,
Askush nuk duhet të ndihet i turpshëm apo fajtor në mesin e trupit diplomatik, qofshin amerikan apo evropian apo tjetër, as në Prishtinë e as në Beograd. Vuajtja njerëzore e Kosovës është e vërteta historike e Serbisë. 24 marsi është një ditë e madhe, çdo vit, andaj, të gjithëve dhe për të gjithë: Gëzuar dhe kënaquni!