Kryeministri Kurti përkujton Heroin Isa Kastrati, në 24-vjetorin e rënies
Në Kamenicë u mbajt sot Akademia Përkujtimore dhe u bë zbulimi i shtatores së Heroit të Kosovës, Isa Kastrati, në 24-vjetorin e rënies së tij.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ishte i ftuar për të marrë pjesë në këto aktivitete të organizuara nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, në bashkëorganizim me OVL të UÇK-së, dega në Kamenicë, në kuadër të Manifestimit “Lulëkuqet e Prillit”.
Në pamundësi për të qenë i pranishëm, kryeministri Kurti i është drejtuar familjarëve të dëshmorit Isa Kastrati dhe të pranishmëve tjerë, përmes një letre, që u lexua nga zëdhënësja e Komunës së Kamenicës, Lidiona Marovca.
Letra e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar Kryetar i Komunës së Kamenicës, z. Kadri Rahimaj,
Të nderuar familjarë të dëshmorit Isa Kastrati,
Të nderuara familje të dëshmorëve dhe të nderuar veteranë dhe invalidë të luftës së UÇK-së,
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,
Më lejoni që bashkë me përshëndetjet e mia, t’ju përcjellë dhe fjalën time në këtë përvjetor të 24-të të rënies së dëshmorit Isa Kastrati, aty mes jush, në shtëpinë e kulturës “Isa Kastrati” në Kamenicë, ku jeni mbledhur për ta kujtuar veprën patriotike të këtij personaliteti të lindur në anët tuaja, e të rëndësishëm për të gjitha anët e vendit tonë. Dëshmorin Isa Kastrati më ka rastisur ta njoh personalisht qysh kur isha adoleshent. Ndërkaq, hera e fundit që e kam parë, ishte në një ditë të vranët në selinë e UÇK-së në Prishtinë, kur teksa po dilte jashtë saj, më tha: “Erdha me i tregu Bacës Adem që po shkoj në front”. Ai ishte nisur të luftonte për çlirimin e Kosovës nga Serbia!
Isa Kastrati e kishte njohur Adem Demaçin fare herët, meqë kishte qenë me grupin e tij të të dënuarve politik me burgim. Isa u dënua dhe u ridënua sërish disa herë, duke mbajtur mbi 10 vite e gjysmë burgim. Edhe pas daljes nga burgu, në korrik të vitit 1986, ai mbahej nën vëzhgim nga Shërbimi Sekret i Serbisë.
Pas zhvendosjes në Prishtinë, Isa e ktheu shtëpinë e tij në hapësirë për Gjimnazin “Dr. Ali Sokoli”. Gjatë viteve ’90-të, ai qe shumë i angazhuar në aktivitete politike, derisa edhe iu bashkua grupeve të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas shpërthimit të luftës në Drenicë, Isa organizoi Këshillin e Emergjencës në Prishtinë për pritjen e refugjatëve të zhvendosur brenda Kosovës.
Isa Kastrati u vra në luftime me forcat serbe 24 vite më parë, më 22 prill 1999, në Bullaj të Marecit në Malësinë e Gollakut. Ai ra dëshmor bashkë me Afrim Vitinë dhe Sokol Sopin. Duke kujtuar jetën e këtij aktivisti të lirisë së popullit të tij, pranoni konsideratat e mia më të larta për këtë luftëtar për çlirimin e Kosovës. Lavdi veprës patriotike të dëshmorit Isa Kastrati dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës! Ju faleminderit!