Qeveria, një hap drejt rritjes së pagës minimale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar të hënën se ka nisur puna për rritjen e pagës minimale.
Përmes një postimi në rrjetin social”Facebook”, Kurti ka thënë se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka përgatitur projektligjin, i cili së shpejti do të dalë në konsultime publike.
“Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë i tij:
Filloi puna drejt rritjes së pagës minimale, drejt përmbushjes së një tjetër zotimi
Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme. Ende pa i mbushur një vit në qeverisje, kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale.
Si hap i parë është rregullimi i kornizës ligjore, në mënyrë që të evitohen të gjitha pasiguritë ligjore ekzistuese në lidhje me rritjen e pages minimale. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve veçse ka përgatitur projektligjin i cili shpejt do të dalë në konsultime publike.
Krahas kësaj, në koordinim me Këshillin Ekonomiko-Social, së shpejti do të propozohet edhe niveli i pagës minimale.
Propozimi pastaj miratohet në Qeveri dhe kësisoj përmbyllet procesi.