Kryeministri Kurti: Serbia do të akuzohet për krimet e Luftës në Kosovë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se po bëhen përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Këto komente, Kurti i bëri gjatë homazheve në nderim të martirëve të familjes Mulliqi.
“Edhe Ministria e Drejtësisë dhe këshilltarët ligjor edhe ekspertë ndërkombëtarë janë duke i bërë përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e që janë krime kundër njerëzimit dhe (krime të) gjenocidit”, tha Kurti.
Tutje, ai tha se këto janë çështje të brendshme dhe në kohën e duhur jepen njoftimet e nevojshme.
Ndryshe, në muajin shkurt është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të dokumenteve të para në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Kurti kishte deklaruar se të gjithë dokumentuesit, hulumtuesit e pavarur, shoqëria civile, ekspertët e jashtëm, media e gazetarë e të gjithë qytetarët kanë institutin që i pret materialet e dëshmitë e mbledhura.