Kryeministri Kurti takohet të mërkurën me presidentin francez Macron
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditën e mërkurë pritet të zhvillojë një takim me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Zyra e Kryeministrit ende nuk e ka publikuar agjendën e vizitës së Kurtit në Francë, ndërkohë Telegrafi ka mësuar se takimi Kurti – Macron do të zhvillohet pasditen e së mërkurës, në Pallatin Elize.
Ditë më parë, Kurti kishte pritur në takim këshilltaren politike për Ballkan të presidentit francez, Emmanuel Macron, Isabelle Dumont, ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, këshilltarin në Drejtorinë e Evropës Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Guillaume Rousson, dhe këshilltarin e parë në ambasadë, Cyprien François., ku kishin diskutuar për vizitën e fundit të tij në Bruksel.
Sipas njoftimit që kishte bërë Zyra e Kryeministrit, ky takim i mbajtur ishte në përgatitje të vizitës së Kurtit në Paris, ku do të zhvillohet takimi i parë me presidentin Macron.
Ndërkaq, ende nuk ka pajtueshmëri për agjendën e takimit të radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.
Në takimin e mbajtur në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq, palët nuk janë pajtuar për agjendën e dialogut të ri.