Kryeministri Kurti takoi zëvendëspresidenten për Politika të Përmbajtjes në Meta, Monika Bickert
Takimet në ditën e tretë në Forumin Ekonomik Botëror, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i vazhdoi me Monika Bickert, Zëvendëspresidenten për Politika të Përmbajtjes në Meta, kompaninë amë të Facebook, Instagram dhe WhatsApp.
Kryeministri Kurti e njoftoi Znj. Bickert me veçoritë e politikave dhe tregut të punës e shërbimeve që e karakterizojnë Kosovën, vëmendjen e Qeverisë ndaj agjendës së saj digjitale dhe potencialin që vendi ynë ka në fushën e teknologjisë. Ai e ftoi atë që ta vizitojë Kosovën për të konsideruar mundësitë e bashkëpunimit dhe për të marrë pjesë në ngjarjet që planifikohen të organizohen në Prishtinë në fushën e teknologjisë.
Ndër çështjet kryesore që u diskutua në takim ishte zgjerimi i mundësive të monetizimit në Facebook për Kosovën. Aktualisht, vendi ynë përballet me kufizime për të shfrytëzuar shumicën e veçorive të monetizimit në Facebook. Hyrja e monetizimit në Kosovë mund të liberalizojë ndjeshëm tregun, duke krijuar mundësi të konsiderueshme për krijuesit lokalë për të përfituar përmes platformës së Facebook-ut.