Kryeministri Kurti të hënën pritet ta vizitojë Maqedoninë e Veriut
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurtit, të hënën e 5 gushtit pritet të realizojë një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari, në një përgjigje të shkurtër për Albanian Post, ka thënë se në bazë të informacioneve që ai posedon, Kurti pritet të realizojë një vizitë zyrtare në Shkup në fillim të javës.
“Unë me sa e di, kryeministri Kurti vjen ne Maqedoninë e Veriut të hënën”, tha shkurtimisht ai për Albanian Post.
Një vizitë e tillë nuk është konfirmuar ende nga Zyra e Kryeministrit.
Ndonëse nuk ka ende detaje lidhur me vizitën e mundshme të Kurtit në Maqedoninë e Veriut, i pari i qeverisë gjatë qëndrimit në Shkup pritet ta takojë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski.
Vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut vjen disa ditë pas incidentit në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku e përshirë ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Pas këtij incidenti Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dërgoi një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar “sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident”.
Ministria e Punëve të Jashtme njëkohësisht kërkoi që autoritetet maqedonase “të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”.
Zyra e Presidentes së Kosovës akuzoi autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se, më 1 gusht, presidentes Vjosa Osmani është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit.
Këshilltari i presidentes, Bekim Kupina, tha se pavarësisht faktit që i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, “ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për t’i hapur rrugën”.
Në mbrëmjen e 2 gushtit, Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut shprehu “keqardhje për keqkuptimet që ndodhën gjatë udhëtimit të djeshëm të presidentes Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit”.
Pala maqedonase më 1 gusht po ashtu tha se ka nisur hetimin e këtij rasti. Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut deklaroi se pasi Osmani kaloi kontrollin kufitar, “erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, [polic] me dy persona të tjerë [policë] dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e Aeroportit dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes”.
Presidenca kosovare më 1 gusht tha se e kishte informuar kryeparlamentarin Afrim Gashi për incidentin, duke e falënderuar për ndihmën.
Gashi, më 2 gusht, sqaroi se ai ka ndërhyrë vetëm për të “shmangur një incident diplomatik”.
Nga kompania TAV e cila menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, thanë se departamenti i sigurisë, në kuadër të përgjegjësive, ka kryer kontroll standard të sigurisë.