Kryeministri Kurti udhëton për në Zvicër
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar mbrëmë për në Zvicër.
Ai sot (e enjte) do të jetë në Cyrih, ku do të marrë pjesë në konferencën “Dita e shkathtësisë së biznesit”.
Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, në kuadër të kësaj konference kryeministri Kurti do të jetë folës kryesor dhe do të zhvillojë takime me përfaqësues të kompanive të ndryshme ndërkombëtare.
“Në Cyrih gjithashtu do të ketë një diskutimin dhe bashkëbisedim me studentë shqiptarë të organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë, me temë “Investoni në Kosovë”, ka njoftuar zyra e Kurtit.
Ndërsa nesër (e premte) në Bernë, në kryeqytetin e Zvicrës, Kurti do të ketë takime me përfaqësues politikë e institucionalë të shtetit të Zvicrës.
Gjatë qëndrimit në Zvicër Kurti do të takohet me përfaqësues të komunitetit të grave ndërmarrëse shqiptare dhe pjesëtarë të mërgatës sonë atje.