Kryeministri Kurti vendosi gurthemelin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët në Ponoshec të Gjakovës
Në fshatin Ponoshec të Komunës së Gjakovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vendosi gurthemelin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët, investim ky i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Vlera financiare e këtij projekti është 1.2 milion euro, por vlera reale për brezat e rinj që do të shkollohen e do të edukohen këtu nuk mund të llogaritet. Ajo është e pamatshme.
Krahas dijes shkencore, shkolla ofron edhe edukimin vleror, që të bëhet pjesë formuese e fëmijëve tanë e shpresë për Republikën tonë. Ky është investimi më i mirë për ta dhe për të ardhmen e vendit tonë, tha Kryeministri Kurti, në këtë ceremoni.
Javën e kaluar e vendosëm gurthemelin për ndërtimin e çerdhes në Miresh të Gjilanit, ndërkaq sot, jemi në Ponoshec të Gjakovës, kaq afër Shqipërisë këtu. Po punojmë për ndërtimin e objekteve të reja shkollore, çerdheve, adaptimin e hapësirave ekzistuese diku dhe për përmirësimin e kushteve e të mjeteve mësimore, shtoi kryeministri.
Kjo shkollë, ka sipërfaqe 2.800 metra katror. Është projektuar në dy kate, me 8 klasë mësimi, një hapësirë ndihmëse për pushim për parashkollorët, kantinë me kuzhinë, dhomë të kompjuterëve, dhomë të leximit me bibliotekë, si dhe laboratorin e shkencave të natyrës me kabinet.
Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për projekte të reja sikurse ky. Deri në fund të vitit, çerdhet do të hapen edhe në Prizren e në Suharekë, ndërkaq, në vazhdën e këtyre punimeve për ndërtimin dhe adaptimin e hapësirave pritet të bëhen çerdhe edhe në Junik, Skenderaj, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Shtime dhe Malishevë.
Në këtë ceremoni, morën pjesë edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, Zëvendësministri Agon Dobruna, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ardian Gola, deputetët Agon Batusha dhe Fridon Lala, si dhe përfaqësues të fshatit Ponoshec.
Fjala e Kryeministrit Kurti:
I nderuari Kryetar i Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini,
E nderuara Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
I nderuari Zëvendësministër Agon Dobruna,
I nderuari Kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim, z.Ardian Gola,
I nderuari deputet, Fridon Lala dhe deputet Agon Batusha,
Të nderuar të pranishëm,
Motra dhe vëllezër, zonja dhe zotërinj,
Të nderuar banorë të fshatit Ponoshec,
Është vërtetë kënaqësi e madhe që po takohemi sot këtu bashkë dhe po i vendosim themelet e një shkolle të re. Këtu po vijmë nga ceremonia e ndarjes së shpërblimeve për disa nga nxënësit tonë më të mirë, fitues të garave vendore e ndërkombëtare në matematikë e në fizikë, ndërkaq prej këtu do të vazhdojmë për Rezinë, ku do të vendosim gurthemelin e çerdhes për fëmijë atje.
Javën e kaluar vendosëm gurthemelin për ndërtimin e çerdhes në Miresh të Gjilanit, ndërkaq sot, jemi në Ponoshec të Gjakovës, kaq afër Shqipërisë këtu.
Po punojmë për ndërtimin e objekteve të reja shkollore, çerdheve, adaptimin e hapësirave ekzistuese diku dhe për përmirësimin e kushteve e të mjeteve mësimore. Në Prizren e në Suharekë do t’i hapim çerdhet deri në fund të vitit, e në vazhdën e këtyre punimeve për ndërtimin dhe adaptimin e hapësirave pritet të bëhen çerdhe edhe në Junik, Skenderaj, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Shtime dhe Malishevë.
Arsimi është shtylla qendrore mbi të cilën zhvillohen të gjitha fushat e tjera të shtetit e të shoqërisë, andaj edhe ne si Qeveri mbetemi të përkushtuar për projekte të reja sikurse ky për të cilën jemi mbledhur bashkë këtu sot.
Shkolla dhe salla e edukatës fizike, pra kjo ndërtesë, gurthemelin e së cilës po e vendosim, ka sipërfaqe 2.800 metra katror. Është projektuar në dy kate, me 8 klasë mësimi, një hapësirë ndihmëse për pushim për parashkollorët, kantinë me kuzhinë, dhomë të kompjuterëve, dhomë të leximit me bibliotekë, si dhe laboratorin e shkencave të natyrës me kabinet.
Vlera financiare e këtij projekti është 1.2 milion euro, por vlera reale për brezat e rinj që do të shkollohen e do të edukohen këtu nuk mund të llogaritet. Ajo është e pamatshme. Krahas dijes shkencore, shkolla ofron edhe edukimin vleror, që të bëhet pjesë formuese e fëmijëve tanë e shpresë për Republikën tonë. Ky është investimi më i mirë për ta dhe për të ardhmen e vendit tonë.
Më lejoni të ju përgëzoj edhe njëherë dhe të ju uroj punime të mbara në ndërtimin e shkollës në Ponoshec.
Ju faleminderit dhe e gëzofshi!