Kryeministri Kurti vlerëson rezultatet e sportistëve në arenën ndërkombëtare
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Komitetin Olimpik të Kosovës, me ç’rast është pritur nga drejtuesit e KOK-ut, në krye presidentin Ismet Krasniqi.
Të pranishëm në takim ishin edhe zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti dhe nënpresidentët, Gazmend Maxhuni e Milaim Kelmendi.
Presidenti Krasniqi falënderoi kryeministrin Kurti për angazhimin e tij në mbështetje të sportit dhe sportistëve, si dhe përkushtimin për përmirësimin e kushteve infrastrukturore. Kryeministri Kurti, përgëzoi drejtuesit e KOK-ut për zyrat e reja, derisa vlerësoi punën dhe të arriturat e KOK-ut, me theks të veçantë rezultatet e sportistëve tanë në arenën ndërkombëtare.
Palët u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit në arritjen e qëllimit për marrjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, për çka presidenti Krasniqi falënderoi kryeministrin për mbështetjen e fuqishme. U dakordua edhe për bashkëpunim në rrugën drejt prezantimit sa më të mirë edhe në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.