Kryeministri malazez: Është identifikuar njëri nga sulmuesit e tre të rinjve shqiptarë
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, ka bërë me dije se është identifikuar njëri nga tetë personat që sulmuan tre të rinj shqiptarë në afërsi të qytetit të Herceg Novi.
Përmes një postimi në platformën X, Spajiç ka thënë se po punohet në kapjen e personit të identifikuar, ndërsa ka shtuar se së shpejti do të dihen informacione edhe për sulmuesit e tjerë.
“Më vjen shumë keq për ngjarjet e sotme që ndodhën të ftuarit tanë të dashur nga Shqipëria”, shkroi Spajiç.
Kryeministri malazez theksoi se shteti që ai udhëheqë “duhet të jetë një oaz paqeje dhe sigurie për të gjithë”.
“Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit dhe po punojmë që të gjithëve t’u ofrojmë sigurinë dhe mikpritjen që meritojnë”, përfundoi ai.
Reagimin e kryeministrit malazez e ka rishpërndarë në platformën X, Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Taulant Balla, i cili ka falënderuar autoritetet e Malit të Zi për reagimin e menjëhershëm.
“I jam shumë mirënjohës reagimit të menjëhershëm të autoriteteve dhe Policisë së Shtetit të Malit të Zi për dhunimin e tre të rinjve shqiptarë sot në Herceg Novi. Po kryhet një hetim i plotë dhe personat e këtij akti do të merren përgjegjësi”, ka shkruar Balla.
Më herët edhe Ministri shqiptar i Administratës Publike në Qeverinë e Malit të Zi, Marash Dukaj, u bëri thirrje autoriteteve që të hetojnë urgjentisht të gjitha rrethanat e kësaj ngjarje.
Mali i Zi, siç theksoi ai, fatkeqësisht ka një përvojë të keqe të një incidenti të ngjashëm që ka ndodhur në fillim të vitit të kaluar.
“Por, për fat, ekziston edhe një traditë shumëshekullore e fqinjësisë së mirë, çiltërsisë, përzemërsisë dhe dashamirësisë. Veprat penale nuk kryhen nga kombe apo institucione, por nga individë që kanë emër dhe mbiemër”, tha Dukaj.
Ndaj ai nënvizoi se duhet urgjentisht identifikimi i fajtorëve që të mos mendohet për ndonjë faj kolektiv e sidomos për politikë.
“Ky është thelbi i asaj që ua kam përcjellë sot pasdite zyrtarëve shqiptarë të cilët më kanë telefonuar me interes për këtë ngjarje fatkeqe”, ka përfunduar Dukaj.