Kryeministri me paralajmërim për kokat e krimit në veri që i sanksionoi ShBA-ja
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur rreth vendimit të ShBA-së për vendosjen e sanksioneve ndaj kokave të krimit në veri, në krye me Zvonko Veselinoviqin, si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë.
I pari i qeverisë ka paralajmëruar se me të sanksionuarit nga Amerika do të merret edhe sistemi i drejtësisë në Kosovë.
“Ne e kemi mirëpritur, është një vendim shumë i mirëseardhur, i cili po tregon që krimi dhe korrupsioni nuk duhet të ketë vend, jo vetëm në vendet e BE-së, por në çdo vend që aspiron që të bëhet anëtar i BE-së si puna e Kosovës. Por, ajo çfarë duhet të bëhet në vijim, e kjo është punë e jona, është që sistemi i drejtësisë t’i përcjellë me vëmendje të gjitha vendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë informacion të bollshëm, në mënyrë që ata të mos kenë vetëm sanksione nga SHBA-ja, por të jenë të sanksionuar, hetuar, gjykuar e dënuar edhe këtu te ne”, ka deklaruar Kurti para mediave.