Kryeministri: Na shqetëson ikja e të rinjve
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për ikjen e të rinjve është e qëlluar sepse duhet të diskutohet për këtë temë të ndjeshme.
“Nuk e di çfarë kanë propozuar për rezolutë, por çdo propozim që del për Qeverinë do ta zbatojmë që jo vetëm të përballemi me të gjitha temat, por serioziteti dhe angazhimi në punë është ajo që po bëjmë në vazhdimësi si Qeveri”.
“E mirëpres dhe vlerësoj mbajtjen e seancës, por për fat të keq për shkak të obligimeve të tjera nuk arrita t’i bashkohem megjithatë çdo rekomandim që del do ta shqyrtojmë”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë.
Haradinaj ka thënë se për ata që gjejnë një vend pune mund të jetë një zgjidhje largimi nga Kosova.
“Për ata që nuk kanë punë dhe gjejnë vend pune në Gjermani ose diku tjetër, atëherë kjo është një zgjidhje derisa ai/ajo nuk e ka një vend pune këtu dhe gjen diku tjetër”.
“Është krejt e arsyeshme për të papunët që largohen, por detyra jonë është që të hapim vende të reja të punës në Kosovë sa më shumë që mundemi. Është shqetësuese, por ne veprojmë dhe operojmë në realitetet tona që është e pamundur që papunësia e akumuluar në dekada të zgjidhet me urgjencë”, ka thënë Haradinaj. /KK/