Kryeministri nderon me medaljen “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” dëshmorin Bahri Fazliu
Në 21-vjetorin e rënies se heroit Bahri Fazliut, kryeministri Ramush Haradinaj e ka nderuar atë me medaljen “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.
Vëllait të dëshmorit, medaljen ia ka dorëzuar të martën Besnik Tahiri, këshilltar i kryeministrit dhe Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore.
Postimi i plotë i Tahirit:
Në homazhe pranë lapidarit të dëshmorëve të kombit Fahri e Bahri Fazliu në Llaushë të Podujevës, përkujtuam 21-vjetorin e rënies së patriotit, intelektualit dhe pararendësit të lirisë, Bahri Fazliut.
Në emër të kryeministrit Ramush Haradinaj, i dorëzova vëllait të dëshmorëve Fadil Fazliu, medaljen “Gjergj Kastrioti – Skenderbeu”. Jeta dhe vepra e Bahri Fazliut, është padyshim shembull dhe frymëzim për lirinë dhe atdheun.
Bahriu, ashtu sikurse e thotë në pendën e tij nuk u nda nga lufta, jo që nuk njohu dhimbjen dhe dashurinë për jetën, por se nuk u pajtua me robërinë. Bahriu ra në pranverën që e deshi aq shumë, për t’i dhënë sinonim të vërtet paqes që e frymëzonte dhe për të shtrenjtën tonë liri.
Vepra dhe rënia e Bahriut janë mesazh por edhe krenari, ai e deshi jetën por më shumë lirinë! Për brezat mbetet frymëzim për jetën dhe udhërrëfyes për atdheun.