Kryeministri përkujton Luan Haradinajn dhe Ismail Haradinaj
Kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë homazhe sot në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, në nderim të Heroit të Kosovës, Gjeneral Major Luan Haradinaj, dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Ismail Haradina.
Me këtë rast, ai ka thënë se veprimtari Ismail Haradinaj ishte një atdhetar i shquar. “Fjala i pathyeshëm rrallë mund të përdoret, por që kur e kam njohur, edhe pse kam qenë fëmijë, Ismail Haradinaj ka qenë i pathyeshëm”, ka thënë ai.
Kurse, për vëllanë e tij, Luanin, Haradinaj ka thënë se është ndër brezat e fundit të luftëtarëve të shumtë që ka pasur kombi. “Luani ka rënë më 6 maj të vitit 1997 dhe mund të them se kufirin shqiptaro-shqiptar në bindje dhe zemër nuk e kemi pranuar asnjëherë. Nuk kemi pranuar të na ndajnë, por ndër të parët që e ka refuzuar këtë ishte Luani. Ai e ka kaluar nëpër të sikur në tokën e tij dhe jo si prej tjetrës në të vetën. Ai nuk e ka përfill këtë ndarje dhe nuk ka menduar se po kalon nga një shtet në tjetrin”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se rënia e tij në kufi është porosi që nuk do të lejojmë ndarje mes shqiptarëve.
/Epoka e re/