Kryeministri polak: Bjellorusia po përpiqet të destabilizojë Evropën

21 nëntor 2021 | 12:23

Polonia ka theksuar se kriza me emigrantë në kufirin me Bjellorusinë paraqet “perpjekjen më të madhe për të destabilizuar Evropën” që nga Lufta e Ftohtë.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, ka thënë se udhëheqësi bjellorus, Alyaksandr Lukashenka ka nisur një “luftë hibride” kundër Bashkimit Evropian.

Më 21 nëntor, Polonia ka raportuar se rreth 100 emigrantë kanë bërë përpjekje që nga Bjellorusia të kalojnë kufirin dhe të hyjnë në territorin e Bashkimit Evropian. Autoritetet thanë se emigrantët ishin agresivë.

Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, ka thënë më 20 nëntor se Bjellorusia ka ndryshuar taktikën dhe tash po drejton grupe më të vogla emigrantësh njëkohësisht në disa pika kufitare.

Perëndimi akuzon Bjellorusinë se ka krijuar artificialisht krizën duke dërguar në kufi me Bashkimin Evropian emigrantë të mundshëm – kryesisht nga Lindja e Mesme.

Bjellorusia e ka mohuar akuzën dhe ka kritikuar BE-në për mospranimin e emigrantëve.

Në një intervistë me “BBC” më 19 nëntor, Lukashenka ka pranuar se ishte “absolutisht e mundur” që forcat e tij të sigurisë të kishin ndihmuar emigrantët, por mohoi që Qeveria e tij t’i kishte sjellë ata në Bjellorusi.

Polonia ka bërë me dije se të paktën 11 emigrantë të mundshëm kanë vdekur që nga fillimi i krizës gjatë verës.

Lukashenka ka qenë në pushtet në Bjellorusi që prej vitit 1994, por rizgjedhja e tij si president në gushtin e vitit të kaluar nuk është pranuar nga Perëndimi, pasi zgjedhjet janë parë si të manipuluara.

Ai është akuzuar nga Bashkimi Evropian se ka orkestruar krizën në kufi me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë si shenjë hakmarrjeje për sanksionet e vendosura ndaj Bjellorusisë për shkak të shtypjes së protestave opozitare, që janë mbajtur pas zgjedhjeve presidenciale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy vajzat e Fekir Ilazit nga fshati Debëllde i Vitisë…