
Kryeministri polak: Evropa urgjentisht të fokusohet në sigurinë e saj
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka deklaruar se Evropa ka nevojë urgjente për planin e saj për Ukrainën dhe për sigurinë e saj.
Kryeministri Tusk në platformën sociale X theksoi se “nuk ka kohë për të humbur”.
“Evropa ka nevojë urgjente për planin e saj të veprimit për Ukrainën dhe sigurinë tonë, përndryshe lojtarët e tjerë global do të vendosin për të ardhmen tonë. Jo domosdoshmërisht në përputhje me interesat tona. Ky plan duhet të përgatitet tani”, shkroi Tusk.
Komentet e kryeministrit polak i bëjnë jehonë atyre të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili në Konferencën e Sigurisë në Mynih tha se Evropa duhet “të bëhet e vetë-mjaftueshme dhe e bashkuar kundër sfidave të përbashkëta”.
“Ne nuk mund të përjashtojmë mundësinë që Amerika t’i thotë ‘jo’ Evropës. Shumë liderë kanë folur këtu se Evropa ka nevojë për një ushtri të përbashkët evropiane. Dhe unë besoj thellë se ka ardhur koha që kjo të ndodhë”, tha Zelenskyy.
Lëvizjet e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, kanë ngritur shqetësime në mesin e liderëve evropianë se vendimet për luftën në Ukrainë mund të merren pa pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian (BE) dhe ndoshta edhe pa Kievin.
Vitin e kaluar, ministri polak i Punëve të Jashtme, Radoslaw Sikorski, bëri thirrje për sanksione të BE-së ndaj Rusisë dhe një brigadë të mekanizuar të BE-së prej 5 mijë trupash. Polonia po shpenzon 4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen. Sikorski theksoi se edhe anëtarët e tjerë të NATO-s duhet të arrijnë këtë përqindje.