Kryeministri: Qeveria është stabile, nuk shoh arsye të hyjmë në kombinime të tjera
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë koalicioni aktual qeverisës në Kosovë është duke funksionuar dhe se qeveria e tij është stabile.
“Nuk shoh arsye që të hyjmë në kombinime të tjera”, ka thënë Hoti, pasi është pyetur nga gazetarët për përfshirjen e mundshme të Partisë Demokratike të Kosovës në qeveri.
Në fundjavë, mediet në Kosovës kanë raportuar se Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovë, parti nga e cila vjen Hoti, ka folur për heqjen e “vijave të kuqe” ndaj PDK-së së udhëhequr nga Kadri Veseli.
Mustafa është raportuar të ketë thënë se, në kohën kur Kosova po ballafaqohet me akuzat e Gjykatës Speciale, bisedimet me Serbinë dhe pandeminë Covid-19, është e pakuptimtë të mos kërkohet bashkëpunim në skenën politike.
Ndaj Veselit dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që të dy ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është paraqitur një aktakuzë për krime lufte në Gjykatën Speciale në Hagë, por ajo nuk është konfirmuar e as hedhur poshtë ende.
Koalicioni aktual qeverisës në Kosovë përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe partitë e pakicave.