Kryeministri Rama: Askush nuk do t’i shpëtojë Vettingut
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur i kënaqur me procesin e reformës në drejtësi.
“Vettingu ka nisur tanimë, rezultatet ju po i shihni çdo ditë përmes kanaleve të informimit dhe ato do shkojnë duke u thelluar. Gjykatësit e prokurorët e korruptuar do të largohen nga sistemi. Cilido e cilado që nuk është në gjendje të provojë legjitimitetin e pasurisë, nuk është në gjendje të provojë integritetin e vendimmarrjeve në të shkuarën, nuk është në gjendje të provojë aftësitë për të qëndruar në sistemin e ri të drejtësisë, nuk do jetë më pjesë e sistemit. Dhe kjo është një arsye e fortë për të qenë optimist për të nesërmen”, ka thënë Rama.
Por për ata që tashmë janë jashtë sistemit të drejtësisë dhe për ata që nuk do ta kalojnë sitën e Vettingut, kryeministri Rama ka një paralajmërim.
“Ju them atyre që thonë se si mund të mbaroje me kaq? Si njerëz që demonstrojnë pasurira marramendëse, ta mbyllin historinë vetëm duke u larguar nga sistemi, u them që ky është vetëm fillimi. Ky është vetëm fillimi sepse ajo çka ne presim të realizohet, përmes këtij procesi, është që të ndërtohet realisht i pavarur, i cili është efikas, realisht i guximshëm mbi bazën e të gjitha atributeve që i jep Kushtetuta duke garantuar, të gjithë pa përjashtim,, edhe gjykatësit e prokurorët që largohen sepse janë ata që janë”, ka deklaruar Rama, raporton “TCh”.
Qeveria shqiptare ka nisur fushatën e llogaridhënies publike, duke paraqitur para qytetarëve punën e bërë deri më tani, ku si arritje është vlerësuar rekomandimi pozitiv e pa kushte për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian (BE) dhe reforma në drejtësi.