Kryeministri Rama fton studentët për dialog, pritet me refuzim
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, përmes një lidhje direkte në llogarinë e vet në “Facebook”, ka ftuar studentët për të dialoguar për kërkesat e tyre.
Ai ka thënë se dëshiron të zgjidhë këtë problem mes studentëve dhe ka kërkuar prej tyre të krijojnë një përfaqësi.
“Duhet hartuar një strategji e përbashkët studentë – qeveri. Për ta vënë në jetë këtë duhet një bashkim, jo vetëm i mundshëm, por i domosdoshëm mes nesh”, ka thënë ai.
Kryeministri Rama ka thënë se Qeveria dhe studentët duhet të bashkohen “kundër sistemit të korrupsioni, kulturës së falsifikimi dhe keqadministrimit tërësor të universitetit”.
“Qeveria duhet të nxjerrë përfitimin maksimal nga ky mësim dhe nga mësimet tjera të këtij viti”, ka thënë Rama.
Kërkesat e studentëve kanë evoluuar që nga fillimi i protestave 5 ditë më parë.
Ata fillimisht protestuan për ulje tarifash për studime dhe arsim më cilësor publik, mirëpo në ditën e pestë, ata kanë renditur 8 pika tjera që kanë të bëjnë me përfaqësimin e tyre në borde administrative dhe mbështetje financiare të aktiviteteve dhe kërkimeve të tyre shkencore.
“Nuk ka negociata, le të marrë vendim për të na i plotësuar kërkesat”, ka thënë një studente.
“E papranueshme ftesa e tij! Nuk e pranojmë dialogun. Duam vendime të shkruara, jo fjalë”, ka thënë një tjetër student.
Ata, pas fjalës së kryeministrit brohoritën së bashku “nuk ka negociata” dhe “ulni tarifat”.
Qeveria e Shqipërisë ka thënë se tarifat nuk i përcakton ministria, por ato caktojnë universitetet.
Megjithatë, protestuesit kanë pohuar të kundërtën, duke thënë se është Qeveria ajo që ka caktuar çmimet tavan.
Si përgjigje ndaj protestës, të enjten, Ministria e Arsimit u pajtua të heqë pagesat për provimet e mbartura, mirëpo studentët kërkojnë plotësimin të secilës kërkesë që ata e kanë parashtruar.
Tarifat e shkollimit në universitetin shtetëror të Shqipërisë konsiderohen të jenë ndër më të lartat në rajon dhe Evropë, sa i përket shkollimit publik.
Shqipëria, që është anëtare e NATO-s që nga viti 2009 dhe i është dhënë statusi i kandidatit për BE në vitin 2014, është një nga vendet më të varfra në Evropë. (Rel)