Kryeministri Rama thotë se Shqipëria është partnere e besueshme e BE-së
Kryeministri Edi Rama, në ceremoninë e nisjes së misionit të FRONTEX në Shqipëri, ka thënë se ky është një element i qartë, por edhe shenjë vlerësuese e Bashkimit Evropian (BE) për Shqipërinë.
“Kjo është një arsye e qenësishme për t’u ndjerë vërtetë krenarë që bëhemi pjesë e një projekti tejet të rëndësishëm për Evropën. Arsyeja tjetër është personale. Për faktin se këtu sot jam me një mik, që në disa role ka treguar me vepra dhe jo me fjalë një miqësi shumë të sinqertë jo thjesht ndaj meje personalisht, Dhimitri Avramopoulos, pa të cilin që edhe ky projekt i rëndësishëm, që sot nis të jetësohet, zor se do të ishte imagjinuar dhe jo më të ishte realizuar”
“Unë do të doja ta falënderoja komisionarin për praninë e tij dhe mbi të gjitha për dedikimin e tij ndaj një fushe, ku kur e mori detyrën mua mu duk se i kishin lënë pjesën më të minuar të të gjithë interesave të KE-së, por sot mund të thuhet se është bërë një progres i madh. Falë jush dhe përmes jush , ne do të jemi në gjendje t’u tregojmë miqve dhe partnerëve në BE edhe më mirë edhe më shumë fakte dhe prova të padiskutueshme për të qenë në këtë copëz të vogël të Evropës një partner i besueshëm dhe tërësisht i besueshëm në përballimin e flukseve migratore”, ka thënë Rama.
Rama ka theksuar se Shqipëria i ka të gjitha kapacitete për të ruajtur kufijtë dhe të përballojë njëherësh edhe fluksin migrator, që vjen nga vendet e treta.
“Nisja e zbatimit të këtij projekti, një marrëveshje që e bën Shqipërinë vendin e parë të Ballkanit, që do të patrullojë kufijtë e jashtëm përbën një arsye për të qenë të vetëdijshëm se sa e rëndësishmen është që të kemi sukses edhe në funksion të zgjerimit të mëtejshëm. Përfitimet në fakt janë disa, sepse marrëveshja i hap rrugë bashkëpunimit në informacion dhe analizën e fluksit si dhe përballimit të fluksit nga vendet migratore nga vendet e treta. Shqipëria është përballur me një rritje të flukseve të migracionit 6.7 herë më shumë në 2018 krahasuar me vitin 2017”.
“Ne nuk jemi një vend ku ata që vijnë nuk shihen si rrezik apo problem, për arsye të traditës sonë. Nuk janë dëgjuar klithma për shkak të prirjeve të vendeve të tjera, por ky vend ka treguar se gjysmë milioni emigrantë lufte pa i kërkuar askujt asnjë gjë, Jemi këtu dhe jemi shumë më mirë seç ishim në atë kohë dhe kemi ndërkohë të shënuar në histori që jemi të gjithë krenarë për këtë faqe të historisë. Shqipëria u bë i vetmi vend në Evropë me më shumë hebrenj pas luftës sesa para luftës”, ka deklaruar Rama. /Top Channel/