Kryeministri shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të Shejh Neki Shehut
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Shejh Neki (Shejh Ban) Shehut.
Me këtë rast, Kurti në këtë letër ngushëllimi ka thënë se mirësia, mençuria dhe besimi i Shejh Nekiut pasqyruan padyshim për të gjithë besimtarët porosinë për më shumë shpresë e angazhim për jetë më të mirë.
Telegram ngushëllimi i plotë i Kurtit:
Me pikëllim të thellë e pranova lajmin e hidhur për ndarjen nga kjo botë e Shejh Neki (Shejh Ban) Shehut.
Jeta dhe veprimtaria e tij në shërbim të qytetarëve të Gjakovës dhe tërë Kosovës, ishte dhe do të mbetet frymëzim për të gjithë ata që lartësojnë vlerat e kombit dhe i mishërojnë ato me besimin në Zot. Mirësia, mençuria dhe besimi i Shejh Nekiut pasqyruan padyshim për të gjithë besimtarët porosinë për më shumë shpresë e angazhim për jetë më të mirë.
Shejh Nekiu nuk ishte vetëm predikues dhe besimtar, ai ishte shembulli i njeriut të urtë, punëtor dhe dashamirës për të gjithë, pa dallim feje, race apo gjinie. Ai kishte cilësi të njeriut bashkëkohor me vlera humane, dhe përkushtim të pakursyer për qytetarët e komunës së Gjakovës.
Ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta djemve, Leonardit e Labinotit, vajzës, Leonora, përcjellësve e komunitetit të besimtarëve të tyrbes së Shejh Banit dhe gjithë Gjakovës për humbjen e njeriut me vlera të larta njerëzore.