
Kryeministri spanjoll në Serbi përsërit qëndrimin kundër Kosovës
Spanja mbështet Serbinë për çështjen e Kosovës, tha kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, i cili ndodhet për një vizitë dyditore në Beograd.
Ai tha kështu pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq më 29 korrik.
Sanchez do të vizitojë edhe katër vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Kosova është i vetmi vend në rajon që Sanchez nuk do ta vizitojë gjatë vizitës së tij në Ballkan.
Spanja është një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Gjatë një konferencë të përbashkët për media me Vuçiqin, ai tha se Spanjën dhe Serbinë i lidhë nevoja për të “respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të dy vendeve” dhe se “Spanja do të jetë gjithmonë me Serbinë në respektimin e këtyre parimeve”.
Ai gjithashtu tha se mbështet Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor në rrugën e integrimit evropian.
“Spanja do të jetë gjithmonë me ju dhe ju keni mbështetjen tonë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian”, tha ai.
Marrëdhëniet politike mes Serbisë dhe Spanjës, Sanchez i cilësoi si “fantastike”, duke shtuar se edhe marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare duhet të arrijnë në të njëjtin nivel.